Imami dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu qoftë i kënaqur me të!)

Hyrje

Jeta e tij nuk ishte thjesht një mision profetik i kufizuar në përcjelljen e mesazhit hyjnor, por një dëshmi e gjallë e përkushtimit, dashurisë dhe nënshtrimit të plotë ndaj Allahut të Madhëruar. Çdo veprim, çdo fjalë dhe çdo qëndrim i tij pasqyronte një lidhje të pandërprerë me Krijuesin. Pikërisht kjo marrëdhënie e veçantë e bëri atë shembullin më të lartë të përsosmërisë njerëzore dhe modelin më të denjë për t’u ndjekur.

Dimensioni shpirtëror i personalitetit të Profetit Muhamed (s.a.a.s) zë një vend të rëndësishëm në studimin e jetës së tij. Ai e ndërtoi ekzistencën e tij mbi besimin, përulësinë dhe përkushtimin e sinqertë ndaj Allahut. Edhe pse mbante mbi supe përgjegjësinë e udhëheqjes së një shoqërie të tërë, ai nuk u shkëput asnjëherë nga adhurimi dhe nga lidhja e tij e vazhdueshme me Zotin.

Marrëdhënia e Profetit Muhamed (s.a.a.s) me Allahun nuk mund të përkufizohet vetëm si një marrëdhënie adhurimi. Ajo ishte një lidhje e mbështetur në njohjen e thellë të madhështisë hyjnore, në besimin e palëkundur dhe në bindjen absolute ndaj urdhrave të Tij. Kjo lidhje e bëri atë të qëndrueshëm përballë vështirësive, të durueshëm përballë sprovave dhe të vendosur në përmbushjen e misionit të tij.

Studimi i këtij dimensioni të jetës së Profetit Muhamed (s.a.a.s) na ndihmon të kuptojmë se forca e vërtetë e njeriut nuk buron nga pasuria, pozita apo ndikimi i tij në shoqëri, por nga afërsia me Allahun dhe nga mbështetja e plotë tek Ai. Për këtë arsye, marrëdhënia e tij me Allahun e Madhëruar mbetet një model i përhershëm për çdo besimtar që synon ta ndërtojë jetën e tij mbi themelet e besimit, sinqeritetit dhe devotshmërisë.

  • Adhurimi dhe robëria para Allahut

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij), me gjithë pozitën, statusin dhe madhështinë që gëzonte, nuk ishte aspak i pakujdesshëm ndaj adhurimit të Allahut. Ai qante në mes të natës, lutej dhe kërkonte falje prej Allahut.

Një natë, Ummu Seleme e kërkoi Profetin, por nuk e gjeti. Ajo doli ta kërkonte dhe e gjeti të angazhuar në lutje. Lotët i rridhnin nga sytë, ndërsa ai kërkonte falje nga Allahu dhe thoshte: “O Allah, mos më lër në dorë të vetes sime as sa çel e mbyll sytë.” (Al’lameh Mexhlisi, “Biharul-Enuar”, vëllimi 16, kapitulli 9: Virtytet e larta të moralit të tij, sjellja dhe Suneti i tij.)

Ummu Seleme filloi të qante. Profeti  iu drejtua dhe e pyeti përse kishte ardhur. Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ti je i dashur dhe i nderuar tek Allahu dhe mëkatet e tua janë të falura. Allahu i Madhëruar thotë:

﴿لِيَغْفِرَ لَكَ اللَّهُ مَا تَقَدَّمَ مِن ذَنبِكَ وَمَا تَأَخَّرَ﴾

“Që Allahu të të falë ty atë që ka kaluar nga mëkati yt dhe atë që ka mbetur.” (Sure “El-Fet’h, ajeti 2)

Atëherë, përse qan dhe përse përsërit: ‘O Allah, mos më lër në dorë të vetes sime?’

Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) iu përgjigj: “E çfarë më siguron mua?” 

Kush do të më mbrojë nëse unë bëhem i pavëmendshëm ndaj Allahut?

Ky është një mësim për të gjithë ne. Mësimi i madh që na mësoi Profeti është të mos e harrojmë Allahun dhe të mbështetemi tek Ai. Duhet t’i drejtohemi Allahut dhe t’i kërkojmë ndihmë Atij në ditën e fuqisë dhe në ditën e dobësisë, në ditën e vështirësisë dhe në ditën e rehatisë; në ditën kur armiku e rrethon dhe e vë njeriun nën presion; madje, edhe në ditën kur armiku, me gjithë fuqinë dhe madhështinë e tij, imponohet mbi njeriun dhe mbi ekzistencën e tij.

(Al’lameh Mexhlisi, “Biharul-Enuar”, vëllimi 16, kapitulli 9: Virtytet e larta të moralit të tij, sjellja dhe Suneti i tij.)

Pra, besimtari nuk duhet ta kujtojë Allahun vetëm kur është në vështirësi. Lidhja me Allahun duhet të jetë e vazhdueshme: në mirëqenie dhe në sprova, në fitore dhe në vështirësi, në krenari dhe në dobësi. 

Vlera e babait të Fatimesë, Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) tek Allahu i Madhëruar shfaqet në mënyrë të veçantë në robërinë dhe përkushtimin e tij ndaj Allahut.

Duke pasur parasysh se Fatimja (Paqja qoftë mbi të!) është burim dhe pikënisje e shumë prej virtyteve të të gjithë të Pagabueshmëve, ajo dhe Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), janë si pika të marra nga oqeani i ekzistencës së Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), kuptohet edhe më mirë madhështia e pozitës së tij.

Në dëshminë islame themi: “Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.”

Vini re renditjen: fillimisht robëria, pastaj profetësia dhe misioni. Pra, në radhë të parë vjen “abduhu” – robi i Tij, e më pas “resuluhu” – i Dërguari i Tij.

Në thelb, Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) iu dha pozita e lartë e shpalljes dhe e misionit profetik për shkak të robërisë së tij të përsosur ndaj Allahut. (Dy hytbet e namazit të xhumasë në Teheran: 5/7/1370- 27/9/1991.)

Kjo na mëson se madhështia e vërtetë e njeriut nuk qëndron vetëm në pozitën, autoritetin, dijen apo famën e tij, por në lidhjen e tij me Allahun dhe në përuljen e tij para Krijuesit. Sa më shumë që njeriu e njeh Allahun, aq më shumë e kupton nevojën e tij për Të. Dhe sa më e lartë të jetë pozita e tij, aq më shumë duhet të jetë i përulur, lutës dhe i varur nga mëshira e Allahut.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), edhe pse ishte më i dashuri i Allahut dhe më i larti ndër krijesat, e shfaqte vazhdimisht këtë robëri: qante, lutej, kërkonte falje dhe i kërkonte Allahut që të mos e linte as për një çast në dorë të vetes së tij.

Ky është një nga sekretet e madhështisë së tij: sa më i madh ishte tek Allahu, aq më e madhe ishte përulësia dhe robëria e tij ndaj Allahut.

  • Adhurimi dhe kërkimi i faljes

Në lidhje me namazet e përcaktuara në “Mefatijhul-Xhinan” thuhet: “Ai muaj (Sha’bani) për të cilin i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) përkushtohej vazhdimisht në agjërim dhe adhurim gjatë netëve dhe ditëve të tij, me përulësi ndaj Teje, për ta nderuar dhe madhëruar atë, deri në fund të jetës së tij.” (Nga fjalimi i tij në takimin me recituesit dhe lavdëruesit e Ehli Bejtit, 05/05/1384- 27/07/2005).

Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e madhëronte muajin Sha’ban deri në fund të jetës së tij. Ai përulej para madhështisë së këtij muaji dhe e kishte mësuar veten me agjërim dhe adhurim gjatë tij.

Në fjalët që vijojnë pas kësaj hyrjeje thuhet: “O Allah, na ndihmo që të ndjekim traditën dhe sunetin e tij në këtë muaj.” (El-Hurr El-Amilij, Shejkh Muhammed ibn El-Hasan, “Uesailu Esh-Shī‘a”, botimi i dytë, 1414 hixhri, botuar nga Mu’assesetu Alel-Bejt (a.s) li-Ihjai Et-Turath, Matba‘at Mehr, Kum, Iran, vëll. 10, f. 492, kapitulli mbi pranimin e agjërimit të Sha’banit.)

Adhurimi i Profeti ishte adhurim i atij, që nga qëndrimi i gjatë në mihrab, i ënjteshin këmbët. Ai kalonte një pjesë të gjatë të natës zgjuar, i angazhuar me adhurim, përgjërim, lot, kërkim faljeje dhe lutje. Ai i pëshpëriste lutjet e tij Allahut dhe kërkonte faljen e Tij.

Edhe jashtë muajit të Ramazanit, gjatë muajve Rexheb dhe Sha’ban, ai agjëronte një ditë po dhe një ditë jo, si dhe agjëronte edhe në ditë të tjera gjatë vitit, pavarësisht vapës së madhe. Shokët e tij i thishin pyetur: Përse gjithë kjo lutje, adhurim dhe kërkim faljeje, ndërkohë që ti nuk ke mëkat?

Kjo duke u mbështetur edhe në fjalën e Allahut të Madhëruar në suren El-Feth:

﴿لِيَغْفِرَ لَكَ اللَّهُ مَا تَقَدَّمَ مِن ذَنبِكَ وَمَا تَأَخَّرَ﴾ 

“Që Allahu të të falë ty atë që ka kaluar nga mëkati yt dhe atë që ka mbetur.” (Sure “El-Fet’h”, ajeti 2)

Dhe Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) përgjigjej: “A të mos jem, pra, një rob falënderues?” (El-Hurr El-Amilij, “Uesailu Esh-Shi‘ah”, vëll. 6, f. 191.). “A të mos jem një rob falënderues, kur Allahu më ka dhuruar të gjitha këto mirësi?” (Po aty).

  • Përmendja e vazhdueshme e Allahut

I Dërguari i madh i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), edhe pse zotëronte atë fuqi të lartë shpirtërore, gjithmonë e përmendte Allahun, i drejtohej vazhdimisht Atij dhe mbështetej tek Ai përmes lutjes dhe ndërmjetësimit. (Nga fjalimi i tij në takimin me banorët e Kumit, 19/10/1371 (09/01/1993).)

Është transmetuar nga Profeti i nderuar (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “A t’ju tregoj për një armë që ju shpëton nga armiqtë tuaj? Lutjuni Zotit tuaj natën dhe ditën, sepse arma e besimtarit është lutja.”  (Shejkh Muhammed ibn Jakub El-Kulejni, “El-Kafij”, vëll. 2, f. 468. Redaktim dhe shënime: Ali Ekber El-Gaffarij. Teheran: Darul-Kutubil-Islamijjeh, Shtypshkronja Hajderijeh, 1365 sipas kalendarit iranian, botimi i dytë.)

Prandaj, i Dërguari i nderuar i Islamit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), gjatë luftës, kryente të gjitha detyrat e nevojshme në fushën e betejës. Ai organizonte ushtarët, caktonte secilin prej tyre në vendin e vet, u siguronte mjetet dhe mundësitë e nevojshme, i këshillonte për detyrat që duhej të kryenin dhe mbikëqyrte gjithçka, ashtu siç një komandant kujdeset për ushtarët e tij.

Njëherazi, ai binte në sexhde mbi tokë, ngrinte duart për lutje dhe përgjërim, i drejtohej Allahut të Madhëruar në mënyrë të përulur dhe i kërkonte Atij atë që dëshironte. (Nga dy ligjëratat e namazit të xhumasë në Teheran, 23/02/1379 (12/05/2000).

Kjo tregon një ekuilibër të jashtëzakonshëm në personalitetin e Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai merrte të gjitha masat dhe vepronte me përgjegjësi, por zemrën e mbështeste gjithmonë te Allahu. Ai nuk e shihte lutjen si zëvendësim të përpjekjes, por e bashkonte përpjekjen me mbështetjen tek Allahu.

  • Mbështetja tek Allahu

I Dërguari ynë i nderuar (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), kur i përgjërohej Allahut të Madhëruar dhe kërkonte ndihmën e Tij në çaste të vështira, nuk merrte parasysh faktin se kjo mund të linte përshtypje te dëgjuesit dhe vëzhguesit se ai ishte i pafuqishëm. Përkundrazi, ai e shprehte hapur: “Unë jam i pafuqishëm dhe nuk mund të kryej asnjë veprim pa ndihmën e Allahut të Madhëruar.”

Gjatë Betejës së Hendekut (El-Ahzab), kur armiqtë e rrethuan Medinen nga disa drejtime dhe synonin ta zhduknin tërësisht Islamin, Kur’anin dhe mesazhin e ri, Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), në atë situatë, organizonte ushtarët, merrte masa të sakta dhe të kujdesshme dhe i nxiste njerëzit për qëndresë.

Krahas gjithë kësaj, ai binte në gjunjë, dhe kjo pamje u përsërit disa herë dhe është përmendur në librat e historisë së jetës së Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai ngrinte duart, përgjërohej, qante, i drejtohej Allahut në lutje dhe kërkonte prej Tij ndihmën, fitoren dhe suksesin. (Nga dy ligjëratat e namazit të xhumasë në Teheran, 29/07/1384 (21/10/2005).)

Kjo na mëson se mbështetja tek Allahu nuk nënkupton braktisjen e përpjekjes. Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) merrte të gjitha masat e nevojshme, por në të njëjtën kohë e pranonte me përulësi se fitorja dhe suksesi përfundimtar janë vetëm nga Allahu.

  • Të mos kesh frikë nga askush përveç Allahut

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e përmendte Allahun në çdo gjendje dhe kërkonte ndihmë prej Tij në çdo fushë. Ai i kërkonte ndihmë Allahut dhe nuk i frikësohej askujt përveç Tij.

Sekreti themelor i robërimit të Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) para Allahut të Madhëruar qëndron në faktin se ai nuk i jepte asnjë peshë absolute dhe nuk i nënshtrohej asnjë fuqie përballë Allahut.

Marrëdhënia e tij me Allahun nuk ishte një marrëdhënie e bazuar në iluzione apo në një besim të paqartë. Përkundrazi, ajo ishte një marrëdhënie e fortë, e vetëdijshme dhe e qëndrueshme. 

Shoqëria jonë duhet të shndërrohet në një shoqëri islame, duke përfituar nga mësimet që na jep morali dhe karakteri profetik. (Nga dy ligjëratat e namazit të xhumasë në Teheran, 05/07/1370 (27/09/1991).